Banka serbe që rrezikon Kosovën

Autori:Zekirja Shabani

jugbankaa

Në fund të sheshit, pranë përmendores së “Mbretit Petar” në Mitrovicë një bankë po e sfidon shtetin e Kosovës. Që nga viti 2011, aty kryhen pagesa, depozitohen para e kryhen transaksione të llojllojshme, pa u mbikëqyrur nga askush.

Gazeta Fjala ka vizituar institucionin financiar që mbanë emrin “Jugobanka-Jugbank”, e në të cilin dyshohet se përveç shpëlarjes së parave kryhen edhe aktivitete tjera financiare jashtë sistemit bankar të Kosovës.

Askush në këtë institucion nuk flet, ndërsa në Bankën Qendrore të Kosovës konfirmojnë se nuk kanë kontroll mbi të.

Ndërkaq, njohës të kësaj fushe vlerësojnë se Kosovës me këtë i kanosen shumë rreziqe.

Por, pavarësisht kësaj, “Jugobanka-Jugbank”, ka gjetur një terren të mirë për të operuar si një lloj trashëgimtare e ish Jugobankës e cila u mbyll në vitin 2002 në Serbi.

rrjeti i bankes

Në listën e degëve të sajë figurojnë edhe ato në Graçanicë, Shtërpcë, Zubinpotok e Leposaviq.

Dy vite më parë inspektorët e BQK-së bashkë me Policinë e Kosovës ishin treguar të pafuqishëm për ti vënë drynin kësaj banke në territorin e vendit.  Ata ishin penguar nga punëtorët dhe qytetarët që të futen në ambientet e bankës.

BQK: Kjo është bankë e supozuar

Në përgjigjen e Bankës Qendrore të Kosovës për Gazetën Fjala thuhet se kjo është vetëm një bankë e supozuar.

“Të gjitha bankat e licencuara dhe të mbikëqyrura nga BQK-ja e që i nënshtrohen ekzaminimeve të rregullta dhe raportimeve janë të publikuara në linkun në vijim të ueb-faqes së BQK-së. Ndërkohë sa i përket pyetjes për Bankën e supozuar një bankë e tillë nuk është licencuar nga BQK-ja”, thotë Besnik Kada.

Ndryshe nga supozimet, në terren dëshmitë flasin për një institucion real bankarë ku kryhen aktivitete të ndryshme.

“Jugobanka-Jugbanka në Mitrovicë ofron shërbime bankare tregtare dhe private. Produktet e saj përfshijnë kreditë, llogaritë rrjedhëse dhe të kursimit dhe depozitat. Jugobanka-Jugbanka është me seli  në Mitrovicë…Serbi”, shkruan në faqen zyrtare të Bankës.

Përveç kësaj, janë të publikuar edhe raportet financiare që nga viti 2015 deri më tani. Madje edhe llogaridhnja ndaj Bankës Qendrore të Serbisë, në të cilin institucion është e licencuar për operacione bankare.

lista e bankave

Florin Aliu, njohës i sistemit bankar thotë se nëse një bankë operon pa licencë, atëherë ekonomisë së Kosovës i kanosen shumë rreziqe.

“Duke përfshirë edhe mundësinë e shpëlarjes së parave. Sepse në vetvete normat e interesit në sistemin bankar të Kosovës nuk i ndikon, mirëpo përderisa një institucion financiar nuk kontrollohet atëherë ne nuk kemi informacion se çfarë aktiviteti financiar zhvillohet në atë bankë”, thotë Aliu për Gazetën Fjala.

Kush e lejon operimin e kësaj banke në Kosovë?

Ndërprerja e përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të ndaluar aktivitetin ilegal të kësaj banke duket se ka një të fshehtë.

Burime të Gazetës Fjala thonë se është arritur një marrëveshje e heshtur mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë që të lejojnë operimin e saj edhe pse në vitin 2015 BQK kishte marr aksion për mbylljen e zyrave të “Jugobanka-Jugbanka”, duke filluar nga Graqanica.

Në atë kohë menjëherë ati reaguar zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën duke e vlerësuar këtë akt si tendencë për bllokimin e jetës së qytetarëve serb.

Sipas kësaj zyre Jugobanka operon në linjë me rregullativën ndërkombëtare dhe rregullat e sistemit financiar të Serbisë dhe Bankës Qendrore të saj./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/banka-serbe-qe-rrezikon-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala