“Azem Syla” e “Ukë Rugova” me shokë bllokojnë 2 milionë kosovarë

Autori:Arjeta Shabani

komisioni-evropian-sot-mund-t-euml-botoj-euml-raportin-p-euml-r-vizat_hd-780x439

Edhe po të miratohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të mbeten të izoluar.

Pa përfundimin e gjykimit të rasteve të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar, si ai i Azem Sylës me toka e Ukë Rugovës me vizat, Zona Schengen për kosovarët mund të mbetet vetëm ëndërr.

Madje, ky kusht kalimin e viteve vetëm sa po bëhet pengesë më e madhe për liberalizim. Prej 33 rasteve të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar sa e pengonin këtë proces para dy viteve, numri i tyre është rritur në 39, shkruan Infokusi.com.

Hetimi dhe zbulimi i këtyre rasteve është kusht i Bashkimit Evropian, pa të plotësimin e të cilit kosovarët vështirë se do të mund të lëvizin pa viza.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu ka thënë se deri më tani në disa prej tyre janë ushtruar aktakuza, disa janë me aktgjykime, ndërsa shumica janë në faza të ndryshme të shqyrtimit gjyqësor.

“Prej tyre 30 raste janë ushtruar aktakuza, disa prej tyre janë me aktgjykime, disa prej tyre të formës së prerë, e shumica e lëndëve me aktakuzë janë në faza të ndryshme të shqyrtimit gjyqësor”, ka thënë Lutfiu.

Por, ka edhe raste në të cilat janë pushuar hetimet e është hedhur kallëzim penal.

“4 raste janë në hetime, në 3 raste janë pushuar hetimet, dhe në 2 raste është hedhë kallëzimi penal”, thuhet në përgjigjet e Lutfiut drejtuar Infokusit.

Për hetim të këtyre rasteve, para dy viteve ishte formuar edhe një komision.

Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane patën konfirmuar se agjencitë për zbatim të ligjit kanë themeluar një ekip të veçantë të udhëhequr nga një prokuror i prokurorisë speciale në mënyrë që të bashkërendojnë aktivitetet në hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Flamur Salihu, zyrtar për informim në MIE pati thënë për Gazetën Fjala se ky ekip përbëhet nga përfaqësues nga policia, prokuroria, dogana, ATK, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar dhe përgjatë hetimeve vlerëson nëse një rast mund të konsiderohet si korrupsion i nivelit të lartë dhe krim i organizuar.

“Fillimisht numri i rasteve të shënjuara ka qenë shumë më i vogël ndërsa tani janë gjithsejtë 33 raste”, ka thënë Salihu.

Deri në atë kohë, ai tregonte se nga 33 rastet e shënjuara, prokuroritë kanë ngritur gjithsejtë 21 aktakuza. Për më tepër, nga këto 21 raste në proces gjyqësor, 3 raste kanë marr aktgjykim dënues të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.

“Në 18 rastet e tjera është duke u zhvilluar procedura gjyqësore”, pati thënëSalihu.

Salihu kishte thënë se Ministria e Integrimit Evropian monitoron dhe raporton mbi zbatimin e këtij kriteri, dhe përmbushja e tij nënkupton një proces në vazhdimësi.

“Për më tepër, meqë ky kriter është përgjegjësi e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatave dhe duke pasur parasysh pavarësinë e tyre, ju lusim që për detaje të tjera të kontaktoni drejtpërdrejtë më këto institucione”, kishte thënë ai.

Infokusi ka kontaktuar me Ministrinë e Integrimeve Evropiane për të marrë informacione se deri ku ka arritur me rezultate për këto hetime, ky ekip, por në këtë Ministri nuk kanë dhënë përgjigje, duke thënë se nuk është përgjegjësi e tyre.

 Disa nga Rastet që pengojnë liberalizimin e vizave

Ndër rastet gjyqësore që flitej se po e pengonin liberalizimin, ishte ai i AzemSylës për tokat dhe i ish-Ministrit të Shëndetësisë, FeridAganit për rastin “Stenta”. Gjithashtu edhe rasti i Ukë Rugovës, i cili po hetohet për dallavere me viza.

Lidhur me rastin e ish komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, AzemSyla,Infokusi ka kontaktuar me avokatin e Sylës, Besnik Berishën për të mësuar se a po e pengon rasti I Sylës liberalizimin e vizave, por Berisha ka thënë se nuk do të pëlqente të fliste për këtë temë.

Ndërsa, avokati i mëparshëm i Sylës , Tomë Gashi kishte thënë se nuk është në dijeni për diçka të tillë dhe se nuk beson se mund të jetë klienti i tij pengesë e procesit.

“…. Nuk mund të them se mund të jetë rasti i klientit tim AzemSyla, i cili ka qenë udhëheqës I UÇK-së, për një periudhë, pjesëmarrës i delegacionit në Rambuje dhe deputet i Kuvendit të Kosovës. Sigurisht mund të them se rasti i AzemSylës nuk pengon askënd në Kosovë për asgjë”, kishte thënë Gashi.

Qytetarët e Kosovës sipas tij, nuk mund të lëvizin lirë në vendet e Bashkimit Evropian për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe jo mungesa e kapaciteteve për të gjykuar rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Në këtë mënyrë Kosova ka mbetur si një burg i madh për banorët e vet.

“Sa un e di askujt prej politikanëve tanë të nivelit të lartë nga 12 qershori 99, nuk i ka konvenuar heqja e vizave për qytetarët e Kosovës, për shkak se populli në momentin që do të udhëtonte jashtë kufirit, apo burgut të madh të quajtur Kosovë do të shihte se bota ka shkuar përpara dhe do të kërkonte përgjegjësi nga udhëheqësit e Kosovës”, ishte shprehur Gashi.

BE pret progres konkret për luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar

Vet kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, pati konfirmuar për media se janë mbi 33 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë, përfshirë edhe nivelet ministrore që po shqyrtohen nga Prokuroria e shtetit. Lumezi kishte thënë se gjysma nga 33 rastet janë ngritur akuzat, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë shtetërorë.

Edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, UlrikeLunaçek, pati thënë për Radio Evropë e Lirë, se Qeveria e Kosovës, që duhet të ofrojë dëshmi konkrete për dënimin e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.

“Dëshmitë konkrete për dënimet e nivelit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion duhet të ofrohen. Duhet thjeshtë të publikohen, duhet të ketë dënime për këto raste të nivelit të lartë. Duhet të dokumentohet, të publikohet dhe kjo është ajo që nevojitet”, kishte thënë Lunacek.(Arjeta Shabani)/Infokusi

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/azem-syla-e-uke-rugova-me-shoke-bllokojne-2-milione-kosovare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala