Agjencia ‘dembele’ e punësimit

Autori:Gazeta Fjala

mobilizohen-bizneset-250-vende-pune-p-euml-r-ta-ndaluar-migrimin_hd

Agjencia e Punësimit ka katër muaj që është themeluar, por kjo kohë nuk i ka mjaftuar drejtuesve të saj as për mbledhjen e statistikave rreth të punësuarve jashtë vendit. Askush në këtë agjenci nuk e dinë sesa të punësuar kanë shkuar nga Kosova nëpër vendet e Bashkimit Evropian, vitet e fundit.

Pavarësisht se Kosova ka arritur disa marrëveshje për punë sezonale me disa shtete, drejtori i kësaj agjencie, Drin Haraqia, ka thënë se Agjencia për Punësim e Kosovës për momentin nuk ka marrëveshje të nënshkruar me ndonjë shtet lidhur me shkëmbim të punëtorëve apo dërgim të punëtorëve për punë të përkohshme.

Ai ka thënë se statistikat për të punësuarit jashtë vendit dhe ata që kanë shkuar përmes marrëveshjeve, mund të gjenden nëpër ambasada, duke hequr barrën nga Agjencia që e ka këtë punë në kompetencë.

“Personalisht, po mendoj që një pjesë e përgjigjeve në pyetjet e juaja mund të gjenden në ambasada të ndryshme apo ndoshta edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme pasi që Ministria e Punëve të Brendshme do të duhej të ishte kompetente për çështjet e emigracionit. Për informata te tjera dhe komentet eventuale me njofto”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë demantuar këto pohime të kreut të Agjencisë së Punësimit. Zyrtarë të kësaj ministrie i kanë thënë gazetës së informatat për këtë çështje i posedon kjo agjenci.

Gjermania i hap dyert për kosovarët

Ndërkohë derisa institucionet nuk japin informacion, interesimi i të rinjve në Kosovë për të punuar jashtë vendit është vazhdimisht në rritje.

Posaçërisht viteve të fundit kjo është vërejtur më shumë drejt Gjermanisë, meqë ky shtet nga janari i vitit 2016, ka filluar zbatimin e ligjit për masa lehtësuese të punësimit, duke i dhënë mundësinë 6 vendeve të Ballkanit ndër ta edhe Kosovës, të lëvizin në mënyrë legale nësë gjejnë kontratë pune dhe vendqëndrim.

Kosova ketë mundësi duket se e ka shfrytëzuar mirë.

Për vetëm dy vitet e fundit, mbi 5 mijë persona, kanë migruar në Gjermani, në mënyrë legale nga Agjensioni i Përkrahjes së Punësimit në Kosovë.

Drejtori i këtij Agjensioni, Bedri Xhafa, thotë për Gazetën Fjala se nga puna me ketë agjenci, ka vërejtur së më së shumti punë po kërkohet në fushën e mjekësisë, në degën e infermierisë dhe përkujdesit ndaj të moshuarve.

“Duke mos lënë anash edhe profesionet tjera por në numër më të vogël”, ka thënë ai.

Sipas tij, mosha mesatare e të interesuarve është nga 20 deri 35 vjeç dhe 60 për qind prej tyre janë femra.

“Ndonëse ligji është aprovuar, në Kosovë ende nuk ka ndonjë zyrë përkatëse për të informuar dhe këshilluar qytetarët lidhur me procedurat e aplikimit”,  thotë udhëheqësi I përgjithshëm I APPK-së, Bedri Xhafa.

Këtë mundësi për punë në Gjermani e ka paralajmëruar më herët vet Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.

Abrashi pati thënë se ky liberalizim i tregut, apo lehtësim i tregut gjerman, nënkupton që mundësia e Kosovës është e hapur që nga viti 2016 deri në 2020.

Valë e re e migrimit në Kosovë

Duke pasur parasysh situatën e ngërçit politik në Kosovë e ngjashme me atë të vitit 2014 institutit iCHAT parasheh si shqetësim të thellë që mund të përsëritët një valë e re e migrimit masiv të të rinjve nga Kosova.

Drejtori ekzekutiv i iChat Besmir Kokollari ka thënë se është nevojë imediate të intervenohet në mënyrë që të parandalohet një gjë e tillë.

“Kërkojmë nga spektri politik të reflektojnë në drejtim të zgjidhjes së këtij ngërçi politik dhe të mos vazhdohet nga spektri politik në Kosovë të tregohet papjekuri politike, mungesë e lidershipit dhe inate personale të cilat janë në dëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

Gjithashtu në të njëjtën kohë iCHAT parasheh që duhet të ndërmerren masa të menjëhershme si dhe fushata sensibilizuese përmes debateve publike për informimin e drejtë dhe parandalimin e dezinformatave nga grupe që nxisin migrimin e të rinjve.

“Sepse ne konsiderojmë që kemi të bëjmë me një moment kur ka një keqkuptim të madh, i krijuar në raport me një nevojë të shpallur të vendeve perëndimore për nevojën e rreth mijëra-mijërave të huaj, por me profesione të caktuara në raport me aspiratën e njerëzve për të shkuar në vende perëndimore dhe për të kërkuar një jetë më të mirë”, ka vlerësuar Kokollari.

Sipas Kokollarit, të rinjtë që po ikin janë të papunë, familjarë të zonave të varfra, ku trofeu i politikës, në rastin më të mirë, është përkrahja sociale.

iCHAT konsideron si shqetësues është niveli i lartë i kërkesave për azil dhe largimi familjarisht i tyre, të dy këta tregues i një dëshpërimi edhe më të thellë se ai i fillimit të viteve ‘90, kur përveçse të varfër, shqiptarët ishin edhe kureshtarë për botën perëndimore. /Gazeta Fjala/ (Arbesa Rexhaj)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/agjencia-dembele-e-punesimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala