A janë të sigurta paratë në Banka?

Autori:Zekirja Shabani

pare

Pas dyshimeve për vjedhje të parave nga llogaritë e klientëve në Bankën për Biznes, qytetarët i ka kapur frika. Ata nuk po besojnë më se paratë e tyre janë të sigurta në bankat komerciale të Kosovës.

Agim Mustafa, klient i njërës nga bankat në vend, tashmë ka marrë vendim që kursimet e tij më mirë ti mbajë në shtëpi.

“Ma sigurt i kam paret nën jostak se me jau besu matrapazëve”, thotë ai për Gazetën Fjala.

Gazeta Fjala ka raportuar të premten se mbi 270 mijë euro dyshohet se u janë vjedhur klientëve në Bankën Për Biznes në Kamenicë  nga drejtori i degës së kësaj banke, Agim Hoda, bashkë me një agjent të kredive.

Ata të dy, dyshohet se kanë keqpërdorur xhirollogaritë bankare të qytetarëve të cilët i kanë besuar ti ruajnë paratë në këtë bankë dhe në disa raste kanë manipuluar e kanë bërë biznes me kreditë.

Drejtuesi i Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se bankat në Kosovë nuk i respeektojnë aspak klientët e tyre dhe për më tepër fitojnë pandershëm në kurriz të tyre.

“Bankat i shfrytëzojnë boshllëqet, mungesën e ligjit dhe ato mangësit financiare mundohen ti mbulojnë në mënyrë të pandershme”, thotë Kaçaniku duke folur për keqpërdorimin e xhirollogarive tëë klientëve.

Sipas tij, kjo ndodhë për arsye se Kosovës i mungon ligji pëër sigurinë e klientit të institucioneve financiare.

Kaçaniku tregon se ky nuk është rasti i vetëm kur bankat keqpërdorin paratë e klientëve. Edhe në disa raste tjera sipas tij, klientët kanë rënë pre e keqpërdorimeve nga këto institusione.

Përveç kësaj, ai thotë se shpesh institucionet financiare i diskriminojnë dhe injorojnë klientët me shërbimet që ata ofrojnë.

Së fundi, përveç pasigurisë që kilentët t’i deponojnë paratë në banka, atyre u ofrohet edhe normë shumë e ulët interesi në depozita.

Ndërkaq, fitimet e shtatë bankave komerciale në Kosovë vazhdojnë të rriten. Në fund të vitit të kaluar raportuan se kanë 805 milionë euro të lira, të cilat mund t’i shesin aty ku e kanë pazarin më të mirë.

Në këto para, sipas njohësve të ekonomisë nuk mund të llogaritin bizneset me qëllim të financimit të afarizmit, apo të zhvillimit, meqenëse bankat po synojnë  që paranë ta shesin sa më shpesh e më shtrenjtë, të mos përballen me rrezik të madh, të kenë sa më pak shpenzime dhe fitim të madh.

Kështu tregon edhe bilanci i gjendjes në fund të tremujorit të katërt të vitit të kaluar. Sipas këtyre të dhënave, edhe më shumë është rritur ndryshimi ndërmjet depozitave dhe kredive, nga 785 milionë euro sa ishin në fund të dhjetorit të vitit 2013, në 805 milionë euro në fund të dhjetorit 2014, pa marrë parasysh se rritja e kredive dhe e depozitave  ishte me normë të njëjtë- rreth tre për qind.

Por se i përket sigurisë së parave të qytetarëve në Bankën Qëndrore të Kosovës, thonë se klientët do të kompenzohen konform legjislacionit në fuqi dhe këtë kosto e bart Banka për Biznes.

“Poashtu ju vëmi në dijeni se dëmi i supozuar apo i ndodhur për çdo rast nuk i prek në asnjë mënyrë klientët por është kosto që e bart banka  konform legjislacionit në fuqi”, pati thënë Besnik Kada, për Gazetën Fjala lidhur me dyshimet për vjedhjen e 270 mijë eurove në xhirollogari të klientëëve të Bankës për Biiznes.

Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi, drejtor i STRAS thotë se gjatë përvojës së pasluftës nuk ka të funksionimit të sistemit banker nuk ka ndodhur ndonjë problem që mund të krijoj përshtypje për shkallën e lartë të rrezikut për paratë e deponuara në banka.

“Madje, në kontinuitet kemi rritje të depozitave, që dëshmon se njerëzit kanë besim te sistemi bankar i vendit”, thotë Rexhepi.

Por, sipas tij, shkalla e sigurisë do të rritej edhe më shumë sikurse të fuqizohet agjencioni për sigurimin e depozitave deri në masën 100 për qind. Kjo, ai thotë se do të ofronte siguri shtesë për të gjithë depozituesit.

Rexhepi thotë se bankat oforojnë te gjitha sherbimet e nevojshme për klientët- por këtu janë disa probleme.

“E para, për ngritjen e efikasitetit duhet të punohet vazhdimisht. Këtu kurrë nuk mund të thuhet se është bërë mjaft. Efikasiteti, cilësia, ekspediviteti janë procese që vazhdimisht duhet të avancojnë. E dyta, bankat komerciale në Kosovë kanë kosto të lartë të shërbimeve, prandaj këtu ka hapësirë për përshtatje sipas evojave të klientëve. E treta, ende ka shkallë të ulët të përdorimit të e-bankingut, i cili do të ndikonte në uljen e kostos dhe për menaxhimin e drejtperdrejtë me mjetet në kontot bankare”, tha Rexhepi.

Por, sipas tij, këtu si pengesë klientët përmendin shkallën jo të lartë të sigurisë, si edhe mungesën e përvojës për qarkullimin financiar elektronik.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/a-jane-te-sigurta-parate-ne-banka/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala