30 mijë përdorues të drogave në Kosovë

Autori:Gazeta Fjala

droga

Të rinjtë në Kosovë nuk janë aspak të sigurt nga përdorimi i drogave. Rastet e përdoruesve të narkotikëve janë shtuar sidomos tek fëmijët nëpër shkolla të mesme, por në raste edhe tek ato fillore.

Ndonëse vazhdimisht është punuar në vetëdijesimin e të rinjve për parandalimin e konsumimit të drogave, prapë së prapë përdorimi i tyre vazhdon të mbetet një problem në rritje, shkruan Gazeta Fjala.

Se sa përdoret droga në Kosovës nuk ka ndonjë të dhënë në nivel kombëtar.

Megjithatë statistikat që janë kryesisht nga hulumtimet e ndryshme, flasin për numër shumë të lart të përdoruesve të narkotikeve.

“Të dhëna statistikore në nivel kombëtar për përdorim të drogës nuk ka, por sipas hulumtimeve të ndryshme dhe sipas vlerësimeve të ekspertëve të kësaj fushe, janë rreth 5000 përdorues problematik te drogës, ndërsa 20-25 mijë përdorues rekreativ të drogave”, thuhet në një hulumtim nga Qendra rehabilituese Labirint.

Kjo bëhet edhe më shqetësuese, duke pasur parasysh se çdo ditë e më shumë po bie mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës në krahasim me vitet e kaluara.

Të rinjtë përdoruesit më të mëdhenj

Në Kosovë, sipas hulumtimeve, kryesisht të rinjtë janë ata që po vazhdojnë të mbetën  konsumues besnik të drogave. Sipas Qendrës rehabilituese “Labirint”, mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogës është 16,5 vjeç.

Kjo tregon se përdorimi i drogave fillon që në adoleshencë dhe vazhdon për një periudhë të gjatë të jetës.

Të rinjtë kosovarë po preferojnë më së shumti llojin e drogës Kanabisi, pastaj vjen Kokaina dhe drogat e tjera të klubeve të natës.

“Konsumimi i drogës sa i përket moshës përdoret varësisht nga lloji i drogës, lloji i drogës që vazhdimisht po përdoret nga të rinjtë është Kanabisi, pastaj vjen Kokaina dhe drogat e klubeve të natës”, thuhet në njoftimin e “Labirint”.

Ndërsa drogat siç është heroina dhe kokaina, përdoren më shumë nga moshat madhore.

Përdorimi i drogave në mënyrë të vazhdueshme shoqërohet edhe me pasoja të mëdha shëndetësore.

“Nder pasojat shëndetësore me te mëdha që mund të shkaktohen nga drogat janë: Dopsimi i sistemit të imunitetit, probleme kardiovaskulare, mund të shkaktoj dhimbje dhe marramendje, probleme me mëlçinë ose dështim total i saj”.

Përveç kësaj konsumuesit e drogave rrezikohen  edhe nga pasojat psikologjike që vijnë si pasojë e përdorimit të drogës në periudhë të gjatë kohore.

“Përveç pasojave shëndetësore, drogat mund te kenë edhe pasoja psikologjike si paranoja, depresion, ankth, agresivitet, halucinacione, varshmëri etj. Të cilat edhe mund të qojnë  deri tek mbidoza fatale ose vdekja”.

232 të raportuara për nëntë muaj në kryeqytet

Sipas policisë së Kosovës, nga janari i këtij viti deri më tani, për përdorim të narkotikëve janë raportuar gjithsej 232 raste.

“Raste të tilla, posedim të paligjshëm të substancave narkotike, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë që nga 1 janari i vitit 2017 deri më tani  janë iniciuar gjithsej 231”, thuhet në një komunikatë të Policisë.

Policia sqaron se nga 21 fletëparaqitjeve, 9 janë shqiptuar për drejtim të mjetit nën ndikim të alkoolit.

Këtë vit, njësitet policore të stacionit Qendra në Prishtinë, kanë ndërmarrë një operacion në disa rrugë të qytetit.

“Operacioni është realizuar në rajonin e përgjegjësisë së stacionit policor Qendra në Prishtinë, në rrugën Tirana, Fehmi Agani, Migjeni, Luan Haradinaj, Enver Zymberi, Ahmet Krasniqi, respektivisht në afërsi të lokaleve të natës, që frekuentohen nga të rinjtë”.

Ata arritën të ndalojnë dhe kontrollojnë mbi 100 vetura, të shqiptojnë 21 fletëparaqitje për kundërvajtje të trafikut, si dhe të shoqërojnë në stacion policor gjashtë persona të dyshuar për posedim të paligjshëm të substancave narkotike.

Sipas Policisë, gjashtë personat e shoqëruar në stacion policor të moshës prej 22-31 vjeç, pas përfundimit të intervistimit nga ana e policisë me urdhër të Prokurorit të shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.

Raste të tilla, posedim të paligjshëm të substancave narkotike, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë që nga 1 janari i vitit 2017 deri më tani  janë iniciuar gjithsej 231”, thuhet në komunikatën e Policisë. (Arjeta Sinani) /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/30-mije-perdorues-te-drogave-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala