24 jetë më pak

Autori:Arjeta Shabani

?????????????????????????????????????????????????????????

Për 24 kosovarë, 2017’a me siguri do të jetë viti kur do i bien pishman për veprimet e tyre tërë jetën.

Ata, për arsye të ndryshme kanë marrë jetën e po aq njerëzve deri në nëntorin e vitit që lamë pas. Arsyet kryesore të vrasjeve sipas sociologëve kanë ndodhur për shkak të së drejtës zakonore, apo gjakmarrjes dhe numrit të madhë të armeve në duart e qytetarëve. Shqetësuese sipas tyre është se ky fenomen pas vitit 1999 është në rritje.

Të dhënat e Policisë së Kosovës, në pesë vitet e fundit tregojnë se janë kryer 158 vrasje të rënda, prej të cilave 122 janë zbuluar.

“Disa raste të vrasjeve janë me kryes të njohur kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia ne bashkëpunim me Prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh. Nëse iu referohemi statistikave lidhur me zbulueshmërinë e rasteve të vrasjeve nëpër vite, veçanërisht nga viti 2008, Policia e Kosovës ka arritur nivelin e zbulues mërisë së rasteve të vrasjeve, mbi 75 për qind”, kanë thënë në Policinë e Kosovës për Gazetën Fjala.

Por, nëse krahasohen pesë vitet e fundit, numri i vrasjeve në Kosovë ka shkuar duke u ulur. Derisa në vitin 2013 kishin ndodhur 44 vrasje, tani kjo shifër gati është përgjysmuar.

Vrasjeeeeeeeee

 Gjakmarrja arsyeja kryesore vrasjeve

Por, se sa raste janë zgjidhur e sa persona janë shpallur fajtorë për vrasje, tregojnë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për Gazetën Fjala.

Sipas të dhënave të Prokurorisë në tri vitet e fundit janë zgjidhur 158 raste të vrasjeve, ku kanë qenë të përfshirë 268 persona.

“Prej këtyre rasteve, 120 persona janë shpallur fajtor me vendim të Gjykatës, 11 janë liruar, ndërsa për gjashtë persona është refuzuar aktakuza”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu.

Viti kur nga Prokuria janë zgjidhur më së shumti raste, ka qenë 2015. Gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur 67 raste, ku kanë qenë të përfshirë 119 persona. Fajtorë për vrasje atë vit janë shpallur 56 persona.

Në këtë institucion e as në polici nuk tregojnë për arsyet që quan deri tek vrasjet. Ndërsa sociologët po shqetësohen me vazhdimin e qërimit të hesapeve mes qytetarëve për shkak të gjakmarrjes.

Sociologu Ferdi Kamberi ka thënë për Gazetën Fjala, se ky fenomen pas vitit 1999 është në rritje, gjë që është shumë shqetësuese, ani pse një gjë e tillë sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës.

“Vetëm  gjatë vitit 2017 në Kosovë ka pasur rreth 24 vrasje të moshave të ndryshme, gjë që është tejet shqetësuese për një shoqëri të re si ajo e Kosovës. Edhe pse parimisht një gjë e tillë sanksionohet me Kodin Penal të Kosovës”, ka thënë Kamberi.

Prezencën e një numri të lartë të armëve në duar e qytetarëve, Kamberi po e sheh si një nga faktorët kyç që shtynë drejt rritjes së numrit të vrasjeve.

Vetëm gjatë periudhës janar-nëntor të vitit të kaluar, Policia ka konfiskuar mbi 150 armë të llojeve të ndryshme.

Ndërsa sipas të dhënave pothuajse çdo vit Policia e Kosovës konfiskon nga 1200-1500 armë të llojeve të ndryshme.

Rehabilitimi i vrasësve shumë i vështirë

Konfliktet ndërmjet personave ose grupeve të ndryshme, përdorimi i alkoolit, depresioni, faktorët socio-ekonomik e borxhet, janë arsyet e tjera që sipas sociologut Kamberi po ndikojnë në kryerjen e vrasjeve.

Shprehet se këto raste reflektojnë tek shoqëria, sidomos tek të rinjtë.

“Pasojat reflektojnë tek shoqëria sidomos tek të rinjtë, të cilët duke parë të rriturit me armë dhe krime të tilla, ata mund t’i marrin model dhe në një të ardhme të shndërrohen në kriminel ordiner.”, shprehet Kamberi për Gazetën Fjala.

Kamberi thotë se këto raste kanë ndikim edhe tek familjet e vrasësve dhe viktimave, pasi shoqëria gjithmonë drejton gishtin nga ata.

“Pasojat bien edhe tek familjet e vrasësve dhe viktimave të cilët edhe mund të kenë pasiguri sociale, mbyllje të shtëpi si rezultat i gjakmarrjes, pastaj linçim nga shoqëria, pasoja të tjera me depresion dhe sëmundje të tjera, si dhe pasoja të tjera të cilat reflektojnë drejtpërdrejtë tek shoqëria kosovare”.

Por, pas vuajtjes së dënimit, ndonëse ekzistojnë institucionet për rehabilitimin e tyre,  këta persona e kanë problem që të ambientohen në shoqëri. Sipas tij për tu ambientuar duhet një kohë e gjatë, mund dhe angazhim edhe i tyre edhe i profesionistëve, si psikologët dhe sociologët./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/24-jete-me-pak/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala