203 milionë euro në tokë

Autori:Gazeta Fjala

20814268_1894977550754313_1563038323_n

Tash e 10 vite Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndarë 203 milionë euro grante dhe subvencione për zhvillimin e kulturave bujqësore.

Mirëpo nuk dihet nëse të gjitha këto para kanë shkuar për ngritjen e serave, zgjerimin e fermave, mbjelljen e pemëve, e përmirësimin e kushteve të fermerëve në përgjithësi.

Një numër i rasteve të dyshuara për keqpërdorim të parave të buxhetit nga ana e fermerëve kanë përfunduar në gjykatë, por asnjë rast duket se nuk është zgjidhur.

Kështu thonë në Ministrinë e Bujqësisë, të cilët tregojnë se ekziston moskoordinim me komunat të cilat duhet t’i monitorojnë bujqit, e që nuk raportojn në mënyrë të rregullt për keqpërdoruesit, shkruan Gazeta Fjala.

Kreu i Federatës Sindikale të Bujqëve, Tahir Tahiri, ditë më parë ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Memli Krasniqi për parregullsi në ndarjen e granteve dhe subvencioneve.

Sipas tij ministria ka vendosur kritere të ashpëra dhe destimuluese që të arrij më leht të manipuloj me to, pasi buxheti për grante dhe subvencione është i vogël për mbulimin e kërkesave të bujqëve.

Për shkak të parregullësive që po ndodhin në sektorin e bujqësisë, ai ka thënë se bujëqit po heqin dorë nga kultivimi i kulturave bujqësore.

Të njejtën gjendje e tregojnë edhe të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Bie numri i fermerëve të interesuar për grante e subvencione

Në këto të dhëna zyrtare numri i aplikantëve për përkrahje financiare nga kjo ministri është rritur vetëm në vitin 2015 pastaj nga viti në vit ka pasur rënie.

Megjithatë, është rritur shuma në para si për grante ashtu edhe për subvencione.

Derisa në vitin 2014 buxheti për këto kategori ishte 28 milionë euro, në vitin 2017 kjo shumë është rritur në 48 milionë euro.

Në vitin 2014 kishin aplikuar rreth 1,200 qytetar, ndërsa në vitin 2015 kjo shifër u rrit për rreth 900 qytetarë më shumë të interesuar, shkruan Gazeta Fjala.

Mirëpo, “intresimi” ra në vitet në vazhdim. Përderisa në vitin 2016 numri i aplikantëve ra në 1700, kjo shifër ka rënë edhe për këtë vit në rreth 1500 aplikant.

Se ndarja e granteve dhe subvencioneve nuk po arrin efektin e dëshiruar në zhvillim të bujqësisë thotë edhe drejtori i prodhimeve të produkteve të mishit “Meka”, Burim Piraj.

“Me vetë faktin që nuk ka kompani që nga këto grante kanë pas zhvillime pozitive dhe në shumicën e rasteve kanë pas efekt jo të pritur dhe jo sipas planifikimit atëherë nuk mund ta quajmë ndarjen e granteve dhe të subvencioneve të drejtë e as të suksesshme”, thotë Piraj.

Sipas tij forma e dhënies së granteve duke i detyruar kompanitë të bëjnë investime të panevojshme kanë dhënë kundër efekt forcimit ekonomikë të kompanisë, shkruan Gazeta Fjala.

“…ka raste kur kompani të ndryshme kanë më pak punëtorë pas investimit se që kanë pas më parë a nga ana tjetër në biznis plan të tyre është paraparë punësimi i punëtorëve të rinj”, është shprehur drejtori i Mekës.

shuma

Efekti i granteve dhe subvencioneve

Megjithatë, në tabelat e Ministrisë së Bujqësisë shihet se efektin më të madh investimet e kanë dhënë në shtimin e sipërfaqeve të reja me pemë manore.

Nga 24.4 hektarë sa janë përkrahur në vitin 2014, sipërfaqja e mbjellë me këtë kulturë është rritur shumëfish. në vitin 2016 qytetarët janë përkrahur për zgjerimin e mbi 150 hektarëve të tillë.

Por, shihet se ndër vite ka pasur rënie të përkrahjes për ferma të reja, në sektorin e vezëve dhe brojlerëve.

Në vitin 2016 janë përkrahur 8 ferma të reja në sektorin e brojlerëve nga 12 sa ishin përkrahur një vit më parë. (Alberta Hashani) /Gazeta Fjala/

indikatoret

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/203-milione-euro-ne-toke/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala