Kosovarët, të parët e Evropës për internet

Autori:Arjeta Shabani

internet

Kosovarët ua kalojnë gjermanëve, francezëve e shumë evropianëve tjerë për internet. Qyetarët më të varfër në Evropë e përdorin internetin më shumë se të gjithë shtetasit e vendeve tjera.

Përderisa në vendet evropiane përqindja e familjeve evropiane që përdorin internetin është 85 për qind, në Kosovë kjo shifër arrin në 88, 8 përqind.

Familjet kosovare thuajse tërë ditën e kalojnë në internet. Pjesa më e madhe e tyre në kompjutere, të tjerat në telefona mobil, laptop e në tableta. Të pakta del të jenë familjet që nuk kanë qasje në këto pajisje.

Rreth 88,8 për qind e ekonomive familjare në Kosovë kanë qasje në internet në shtëpi nga çfarëdo lloj pajisje.

Së paku kështu thuhet në raportin “Rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit 2017”, që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.

Sipas këtij raporti 61, 3 përqind e ekonomive familjare kanë pasur qasje në internet, ndërsa 38.7 përqind janë deklaruar se nuk kanë pasur qasje në asnjë loj kompjuteri.

“Në vitin 2017 ekonomite familjare në Kosovë kanë pasur qasje në kompjuter 61,3%, ndërsa 38,7% janë deklaruar se nuk kanë pasur qasje në asnjë lloj kompjuteri (p.sh. desktop, laptop, netbook, tablet, duke përjashtuar telefonat e mençur)”, thuhet në raportin e publikuar nga ASK-ja.

Për të komunikuar, kosovarët më shumë e përdorin rrjetin Wi-Fi, sesa  rrjetin e telefonisë mobile, siq janë 3G, 4G, LTE. Madje përdorimi i rrjetit Wi-Fi është pothuajse dyfish më i madh.

Në bazë të këtyre statistikave, çdo i pesti individ ka deklaruar se ka përdorur internetin për qëllime private në autoritetet qeveritare ose shërbime publike, gjatë 12 muajve të fundit.

Marrja e informacionit nga faqet ose aplikacionet e internetit, shkarkimi aposhtypja e formularëve zyrtare e dërgimi i formularëve të plotësuar nëpërmjet internetit. Janë aktivitetet më të shpeshta për të cilat përdoret interneti nga kosovarët.

Por, ndonëse shumicën e kohës e kalojnë në internet, për të porositur online ata del se nuk e preferojnë internetin. Shumica prej tyre janë deklaruar se preferojnë të blejnë vet në dyqan. Por, ka edhe nga ata që nuk kanë njohuri se si duhet porositur online.

“Pranimi i mallrave është problem, shqetësimet për sigurinë e pagesave/ mbrojtjen e të dhënave personale, shqetësimet rreth pranimit/kthimit të mallrave dhe mungesa e kartelës së kreditit për blerje”, janë arsyet e tjera që sipas raportit të ASK-së, qytetarët nuk preferojnë të blejnë online.

Kosovarët të paret në Ballkan si përdorues të internetit

Sociologu Ferdi Kamberi thotë se “kur jemi tek përdorimi i teknologjisë, Kosova renditët si e para në Ballkan për përdorimin masiv, sidomos të rrjeteve sociale në raport me numrin e përgjithshëm të banorëve.

Kamberi shprehet se përdorimi i rrjeteve sociale tek të rinjtë shpeshherë është shndërruar edhe në varësi, e cila mund të ketë pasoja të mëdha.

Edhe sociologët e tjerë, sipas tij janë të mendimit se “disa nga pasojat e përdorimit masive të teknologjisë mund të fillojnë që nga shikimi, e deri tek depresioni si rezultat i varësisë nga teknologjia”, ka thënë ai.

Ndikimi i internetit 

Për përdorimin e internetit , por për të rinjtë dhe për ndikimin që ka, kishte dal me raport para 2 javësh edhe Instituti Gnosis.

Në këtë raport thuhej se më pak të ndikuara nga interneti janë femrat. Vetëm 37 për qind prej tyre ndikohen negativisht nga përdorimi i internetit.

E në këtë aspekt po del të jenë më të papërmbajtshëm meshkujt. Qëndrimi i tyre nëpër rrjetet sociale po u shkakton nervozizëm, stres, dhe shqetësime të shumta.

Sipas raportit të Gnosis, rreth 62 përqind e gjinisë mashkullore ndikohen nga interneti.

Ndërsa sa i përket ndikimit pozitiv, ndikimi tek dy gjinitë vlerësohet të jetë i barabartë.

“Efekti pozitiv i përdorimit të teknologjisë informative është i shtrirë njësoj si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt”, thuhet në hulumtimin e Institutit Gnosis.

 Të rinjtë po i mbyllin rrjetet sociale nga presioni

Varshmëria e të rinjve nga interneti po u shkakton atyre telashe në funksionimin normal të jetës së përditshme. Problemet janë më të theksuara në mësime dhe në punë, shkruan Gazeta Fjala.

Ka dalë se rreth 66 për qind e të anketuarve i kanë mbyllur rrjetet sociale për një periudhë të caktuar, për arsye se u ka penguar në procesin e punës, dhe në mësim.

E nganjëherë këta të rinj kanë konsideruar se janë dukë  humbur shumë kohë në internet dhe i kanë mbyllur rrjetet sociale .

E kjo ka ndikuar që të ndjehen më mirë pas mbylljes së tyre.

“Në përgjegjësi, del se mbyllja e përkohshme e rrjeteve sociale ka ndikuar për të mirë në jetën e të rinjve”, thuhet në raportin e Gnosis./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/197378-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala