110 zona radioaktive në Kosovë

Autori:admin

radioactive-e1282862193644

Për ta përmirësuar ndotjen e ajrit, ujit e tokës, Kosova duhet të investoi në mjedis për 10 vitet e ardhshme plotë 102 milionë euro. Për një vit i bie nga 10 milionë e 200 mijë euro.

Këto investime duhet të kryhen në 110 zona në Kosovë, të cilat llogariten të jenë me shkallë të lartë të ndotjes. Madje disa prej tyre edhe me përmbajtje radioaktive.

Këtë konstatim e jep Auditori i Përgjithshëm në raportin “Qëndrueshmëria e masave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit”, të publikuar së fundi.

Ky raport që është i pari i këtij lloji nga Auditori ka gjetur se shkaku kryesor kësaj gjendje të mjedisit është mungesa e investimeve nga shteti.

Ai rekomandon që për të përmirësuar gjendjen në mjedis shteti duhet të investojë çdo vitë nga 6 euro për kokë banori, shkruan Gazeta Fjala.

“Duke marrë në konsideratë koston e planifikuar, në vërejmë se zbatimi i plotë i PKVM (2011-2015-2017) për një mjedis të pastër dhe të sigurtë, si bazë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, do të kushtojë përafërsisht 6 euro për kokë banori për një periudhë dhjetëvjeçare”, thuhet në raport.

Asnjë cent nga taksa ekologjike nuk investohet në mjedis

Auditori ka gjetur se kryesisht investimet në mjedis bazohen në projekte ad-hoc të financuara nga donatorët, përderisa edhe ato pak mjete që merren për mjedis, në vend se të shkojnë për përmirësim të gjendjes, derdhen direktë në buxhetin e Kosovës.

Fjala është për taksën ekologjike për veturat, prej të cilës brenda vitit mblidhen afër 3.5 milionë euro. Asnjë cent nga kjo shumë nuk shkon për mjedis. Mjetet derdhen direkt në buxhet dhe destinohen pastaj për projekte të ndryshme.

E njejta ndodhë edhe me mjetet nga lejet mjedisore.

Kështu në vitin 2015 nga lejet mjedisore Ministria e Ambientit grumbulloi 686 mijë e 399 euro, 616 mijë e 742 euro në vitin 2014 dhe 227 mijë tjera në vitin 2013.

“Të gjitha këto mjete derdhen në buxhet dhe si të tilla nuk përdoren në mënyrë të drejtpërdrejt për qëllime mjedisore”, thuhet në raport.

Kosova ka 110 zona me rrezikshmëri të lartë në mjedis

Ndërkaq, sa i përket gjendjës aktuale të ndotjes së mjedisit, Auditori jep të dhëna të frikshme mbi nivelin e ndotjes dhe rrezikshmërinë që ajo paraqet për shëndetin e qytetarëve.

Në Kosovë janë plotë 110 zona me nivel të lartë të ndotjes, prej të cilave 28 sosh janë klasifikuar si lokacione tejet të rrezikshme.

Sipas raportit, në disa prej këtyre zonave, ka përmbajtje edhe të elementeve radioaktive.

“Këto zona janë krijuar nga moskujdesi i duhur dhe përbëhen nga kemikatet, deponitë sanitare, sektori i industrisë dhe minerar dhe nga materiet radioaktive që e kërcënojnë seriozisht mjedisin dhe rrjedhimisht edhe shëndetin e qytetarëve”, thuhet në raport.

Ndërkohë, si shkaktar kryesor të ndotjes raporti potencon ujërat e zeza urbane, bujqësinë intensive dhe aktivitetet e ndryshme industriale.

Të gjitha se bashku thuhet se janë faktorët kryesorë që kërcënojnë cilësinë e resurseve ujore, ajrit dhe cilësinë e tokës.

Auditori: Trajtimi i ndotjës në fazat fillestare

Përkundër gjendjes serioze, Auditori nga intervistat që ka realizuar me zyrtarët e MMPH-së, ka gjetur një mori problemesh sa i përket trajtimit të ndotjës. Projektet e veçanta mjedisore hartohen në baza ad-hoc, si dhe trajtimi i zonave të rrezikuara nga mbeturinat industriale, mbeturinave të rrezikshme, mbeturinat e ndërtimit, etj., mbetet një prioritet që ende është në fazën fillestare.

“Në Kosovë, nuk ka trajtim të ujërave të ndotura. Shkarkimi i tyre zakonisht bëhet direkt në lumenj dhe paraqet një ndër ndotësit kryesorë të ujërave sipërfaqësorë. Kjo mbetet sfidë në përmbushjen e objektivit të dytë të PKVM-së: Investimi në zonat me probleme kritike”, vlerëosn Auditori.

Përkundër iniciativave dhe projekteve individuale, në Kosovë ende nuk ka program apo sistem të përgjithshëm as për riciklimin e mbeturinave, ripërdorimin dhe trajtimin e tyre, trajtimin e mbeturinave të rrezikshme, industriale, mbeturinave të konstruktimit (ndërtimit) demolimit, etj.

“Përgjithësisht, trajtimi i menjëhershëm i disa deponive që kanë statusin e ‘hot-spoteve’, mbetet sfidë për të ardhmen”. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/110-zona-radioaktive-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala