Alarmohet Avdulla Hoti me keqpërdorimet e parasë publike

Autori:Zekirja Shabani

largea_avdullah-hoti-f11394527844

Ministri i Financave Avdullah Hoti thotë se mënyra se si po shpenzohet paraja publike është brengosëse.

Pasi ka pranuar raportin vjetor për vitin 2014 nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) lidhur me aktivitetet e prokurimit për vitin 2014, ai ka dalë me një deklaratë publike duke vkerësuar se situate është alarmante.

Sipas tij shumë organizata buxhetore, në 537 raste të raportuara, nuk kanë respektuar ligjin e prokurimit publik, ka pasur parregullsi në vlerësimin e ofertave, në marrjen e vendimeve të gabuara për fituesit, në trajtim jo të barabartë në ofertuesve, në dosjet e tenderit, specifikimet teknike, kritere për dhënie të kontratës dhe shkelje të tjera.

“Prej këtyre 537 ankesave, për shkak të shkeljeve të ligjit të prokurimit, në 162 raste janë detyruar organizatat buxhetore të bëjnë rivlerësim të ofertave, ndërkaq në 104 raste janë detyruar të ri-tenderojnë projektin. Vlera e mjeteve financiare të involvuara në këto tenderime nuk është bërë e ditur në raport”, thotë Hoti.

Ai thotë se kjo gjendje shtron nevojën për intervenim urgjent në dy drejtime, në drejtim të ndryshimit të ligjit të prokurimit publik dhe në ngritjen e kapaciteteve dhe etikës profesionale të zyrtarëve të prokurimit në të gjitha organizatat buxhetore.

“Unë jam i vendosur që të sigurojë se paraja publike po përdoret sipas ligjit dhe në interesin më të mirë të qytetarëve. Ashtu siç kam deklaruar me rastin e marrjes së detyrës, do të jem plotësisht transparent për shpenzimin e secilit cent të parasë publike dhe do të kërkoj llogari nga cilido zyrtar publik”, thotë ministri Hoti.

Sipas tij në javët në vijim Ministria do ta dërgojë ligjin e prokurimit publik në Qeveri dhe pastaj në Parlament.

“Ligji do të përcaktojë rregullat e reja të prokurimit publik dhe do të forcojë llogaridhënien dhe transparencën. Njëkohësisht, po punojmë në përgatitjen e platformës elektronike për të filluar zbatimin e prokurimit elektronik në të gjitha organizatat buxhetore.

Kjo do të rrisë në maksimum transparencën gjatë procesit të tenderimeve dhe do të shkëpusë kontaktet e zyrtarëve të prokurimit me ofertuesit. Po ashtu, me këtë sistem elektronik, çdo veprim i zyrtarëve të prokurimit do të jetë i gjurmueshëm në sistem duke rritur kështu përgjegjësinë dhe adresuar atë tek personi adekuat”, thotë ministri Avdullah Hoti

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/alarmohet-avdulla-hoti-me-keqperdorimet-e-parase-publike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala