Agjencia e rrezikshme për shëndetin

Autori:Zekirja Shabani

Zekirja Shabani

Një muaj më parë në Drenas e sollën zvarrë një lopë. Përplot gunga, kafsha gjysmë e ngordhur, u dërgua në thertore për tu bërë ushqim, për qytetarët të cilët këto ditë do të zgjedhin kryetarin e ri.

Nën sytë e inspektorëve u pre, u rrjep e servua në tryeza, ndoshta edhe të odave të burrave, ku po zhvillohet para-fushata elektorale.

Lopa ishte e sëmurë dhe konsumi i mishit të saj ishte ndaluar nga Organizata Botërore e Ushqimit dhe Bujqësisë. Por jo edhe nga Agjencia e ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, institucioni i vetëm për siguri të ushqimit në vend.  AUV kishte shpërndarë fletushka që tregonin se qumështi dhe produktet tjera të kafshëve mund të konsumoheshin pa problem.

Në botë kafshët e prekura nga sëmundja gungore, groposeshin thellë në dhe për të shmangur epidemi, e në Kosovë ato përfundonin në tryezë.

Tani që gungat janë zhdukur dhe zyrtarisht sëmundja llogaritet e kaluar, nuk dihet me saktësi sa raste sikur ai i Drenasit kanë ndodhur në vend.

Në Gazetën Fjala kemi raportuar së paku për 7 të tilla, ndërsa qindra të tjerë janë fshehur nga institucioni që do të duhej të mbronte shëndetin e qytetarëve.

Këta të fundit në vazhdimësi ankohen për cilësinë e produkteve që hanë, e që raporte vendëse e ndërkombëtare tregojnë se është larg nivelit të dëshiruar. Fajtor janë mekanizmat mbikëqyrës të tregut, të cilët janë vënë në shërbim të tregtarëve duke anashkaluar misionin dhe obligimet ligjore që kanë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se Kosovës (AUVK) është autoriteti me i lartë për Ushqim dhe Veterinari i cili është përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e njerzëve duke siguruar nivel te lartë të sigurisë së ushqimit, përfshirë edhe ushqimin e kafshëve, shëndetin e kafshëve, përkujdesjen ndaj kafshëve si edhe cilësinë e ushqimit me prejardhje bimore  dhe shtazore.

Por, kjo agjenci shpesh herë madje ka dalë në shërbim dhe si mbulim për bizneset që shkelin rregullat dhe rrezikojnë t’i helmojnë kosovarët.

Në rrjetin e maketeve të  ETC-së dhe në fabrikën e mishit Elkos, u gjetën para tri javësh mbi 6 tonë mish pa afat ndërsa inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës tentuan të fshehin rastin duke mos e bërë fare publike në raportet e tyre.

Tek pas aktivizimit qytetarë dhe presionit medial, i nxorën dëshmitë nga sirtarët, me të cilat pritet të gjykohet Kelmendi për rrezikim të jetës së kosovarëve.

Ngjashëm ndodhi edhe kur 20 tonë mish i ngrirë me afat të skaduar nga Britania e Madhe u kap derisa po futej në treg, por nuk u mësua kurrë se kush e kishte porositur dhe kujt po iu dërgohej.

Por ajo që dihet, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës shtetet përtej oqeanit, Brazili dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbesin eksportuesit më  të mdhenjë të mishit në Kosovë. Derisa Brazili e mban primatin për mish gjedhi, SHBA-ja është e dyta për eksport të mishit të shpezëve.

Ndërkaq nevojat konsumuese për kokë banori në Kosovë sillen mesatarisht prej 40-46 kg mish në vit, derisa me prodhimtarinë e brendshme vlerësohet se përmbushen vetëm rreth 50 për qind të këtyre nevojave. E boshllëkun për konsum të mishit e plotësojnë importet nga vendet si të ndryshme, cilësia e të cilit është vënë në pikëpyetje në vazhdimësi.

Sidomos kur besueshmëria në mekanizmin mbikëqyrës ka rënë dukshëm tek qytetarët që për më shumë se dy muaj kanë ngrënë mish të infektuar me sëmundjen e lopëve gungore, me leje të zyrtarëve të cilët e kanë për obligim ruajtjen e shëndetit publik. Kjo është konstatuar pasi AUV ishte tërhequr nga vendimi me të cilin i kishte siguruar qytetarët, se mund ta hanë lirshëm mishin e lopëve të sëmura tek pas presionit publik.

Këtij institucioni  do t’i duhet punë për ta kthyer besimin dhe për të dëshmuar fuqinë që ka. Fillimisht duhet t’i garantoj qytetarët se mielli, mishi, produktet e qumështit e produktet tjera janë të sigurta në tregun e Kosovës.

Tashmë kërkesa për siguri të produkteve del edhe si obligim nga Bashkimi Evropian, pas ratifikimit të marrëveshjes së MSA-së për Kosovën. Për momentin asnjë kompani vendore nuk mund të eksportoj mish në vendet e BE-së. Kompanitë vendore janë tek në fillim të përgatitjeve për çertifikim me standardet e nevojshme. E Agjencisë se Ushqimit i mbetet që të krijoj mekanizma adekuat për kontroll dhe cilësi, para se produktet me prejardhje shtazore “Made in Kosova” të gjejnë treg në vendet e BE-së. Natyrisht punë ka shumë, por jo e pamundur. Duhet vetëm vullnet nga institucionet përkatëse që t’i kryejnë obligimet ligjore që kanë dhe të largojnë politiken nga kontrolli i ushqimit.

*Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit “rregullatori.com

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/agjencia-e-rrezikshme-per-shendetin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala