A po e rrëzon LDK dhe VV, qeverinë Haradinaj? – Ja përgjigja e koalicionit PAN

Autori:Gazeta Fjala

auto_auto_PAN15492283581554153674

Dy parti opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, tashmë kanë nisur përgatitjet për ta krijuar mocionin për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Në një takim të liderëve të këtyre dy partive, Isa Mustafa dhe Albin Kurti, i realizuar sot, u bë e qartë, se ata po synojnë ta bëjnë mocionin për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Në këtë iniciativë, pritet të bashkohet edhe Partia Social Demokrate, e Shpend Ahmetit. Por, kjo parti i ka disa kushte.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tashmë ka thirrur në takim kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti – takim i cili pritet të mbahet javën e ardhshme.

Këtë e ka konfirmuar për Gazeta Blic, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, e cila ka bërë të ditur se Ahmeti do të shkojë në atë takim.

Por, përkundër iniciativës së partive opozitare, ato të pozitës, duket se nuk po e marrin shumë seriozisht këtë gjë.

I kontaktuar nga Gazeta Blic, shefi i deputetëve të AAK-së, Ahmet Isufi, e ka quajtur proces normal tentimin e partive opozitare për rrëzimin e qeverisë.

Isufi ka thënë se në momentin që partitë në opozitë t’i sigurojnë 61 vota për rrëzimin e qeverisë Haradinaj, le të urdhërojnë dhe ta bëjnë atë.

“Është në natyrën e opozitës që të ketë takime dhe po ashtu të kërkoja llogari nga qeveria dhe po ashtu rrëzimine saj. është proces normal. Megjithatë mendojmë që nuk janë kushtet për ndryshim të qeverisë, sepse kjo qeveri është duke punuar dhe gjithcka po shkon në rregull”, ka thënë Isufi.

“Në momentin kur ti bëjnë 61 vota ata mund ta ngrisin mocionin për rrëzimin e qeverisë, por unë mendoj që nuk iu konvenon as atyre, sepse janë në zgjedhje të brendshme dhe tjetra është në konsolidim pas ndarjes”, ka shtuar ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, i pyetur për mundësinë që këtë mocion të opozitës, të mund ta përkrahin edhe disa deputetë të pushtetit, Isufi, tha se të gjithë deputetët i kanë qëndrimet e veta.

“Deputetët e partive politike në koalicion i kanë qëndrimet e tyre. Normalisht që ata bazohen edhe në qëndrimet e partive të tyre”.

“Është cështje e tyre se si e mendojnë mocionin. Megjithatë ka nga partitë politike që kanë deklaruar se nuk e rrëzojnë qeverinë me Listën Serbe dhe është qëndrim shumë i mirë, pasi që dihet qëndrimi i Listës Serbe ndaj Kosovës”, ka thënë Isufi.

I njëjtë në deklarime u shpreh edhe shefi i deputetëve të NISMA Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Ai për Gazeta Blic, tha se opozita e ka detyrë që të tentojë ta rrëzojë qeverinë.

“Së pari opozita atë detyrë e ka, të provojë ta rrëzojë qeverinë dhe vendi të shkohet në zgjedhje. Një gjë dihet që votat e tyre nuk mjaftojnë për rrëzimin e qeverisë. Votat e LDK-së dhe VV-së, nuk mjaftojnë. Se ku do ti marrin votat nuk është shqetësim i imi, është i tyre”, ka thënë Sherifi.

Sherifi u shpreh se është kureshtar që të dijë se çfarë teksti do përmbajë mocioni.

“Sa i përket pyetjet sa i besoni deputetëve, le të mbetet në vendim të tyre. Nuk po flas për këtë cështje. Unë shumë kisha pas dëshirë që ta shoh tekstin e mocionit dhe ta shoh se cilat janë arsyet që sipas tyre, vendi duhet të shkohet në zgjedhje.

Shefi i deputetëve të Nismës, u shpreh se kjo parti, tashmë ka arritur në 10 mandate – dhe sipas tij, kjo gjë e bënë të gatshmë shkuarjen në zgjedhje, kurdo që të është e nevojshme.

“Na fare nuk i druhemi shkuarjes në zgjedhje. Aq më pak tani, kur NISMA, tashmë ka arritur tek 10 mandate.

Joserioz dhe të kotë, e kanë quajtur iniciativën për rrëzimin e qeverisë, edhe analistë kosovarë.

Madje ata nuk besojnë që LDK, VV e PSD do ta fillojnë edhe inicimin e një mocioni mos besimi.

E gjithë kjo thonë ata, për shkak se këto parti nuk duan që ta rrëzojnë qeverinë me votat e Listës Serbe kur dihet që partitë në pushtet janë të kënaqura me punën e të parit të ekzekutivit.

Analisti politik, Ramush Tahiri tha për Gazetën Blic se tashmë në një situatë kur LDK, VV e PSD kanë mbi 50 vota nuk do ta rrëzojnë qeverinë me Listën Serbe.

Thotë, madje se nuk ka as interes të partive politike që në këtë kohë ta rrëzojnë qeverinë pikërisht për shkak të paralajmërimit të takimit me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Lista Serbe në këtë rast është e pabesë sepse ju thotë po, dhe në moment të fundit bën pazar me të tjerët dhe nuk voton, e që mund të ndodhë sepse nuk ka ndonjë interes por vetëm të përçajë partitë shqiptare. Edhe VV ka deklaruar që nuk e rrëzon me Listën Serbe. A ka interes dikush që të rrëzojë Haradinajn kur ka paralajmëruar edhe takim me kancelaren gjermane Merkel më 6 qershor? D.m.th duhet me qenë dikush shumë anti- kombëtar që me e rrëzua në këtë fazë Ramush Haradinajn ose me nis procedurë për rrëzim të qeverisë, kur s’ka pas deri më tani dikush takim me Merkelin“, tha Tahiri.

Përveç kësaj, ai ka përmendur edhe Samitin e Parisit si njërën prej arsyeve se përse partitë opozitare nuk guxojnë që të marrin një iniciativë për rrëzimin e Qeverisë.

“Nisma për me e rrëzu Qeverinë nuk ka sukses dhe nuk guxon askush ta fillojë. Gjithashtu nuk shoh ndonjë interes për rrëzimin e Qeverisë tash kur dihet edhe takimi i Parisit lidhur me dialogun me Serbinë. Do të ishte interes vetëm nëse dëshirojnë ta rrëzojnë Qeverinë dhe ta lënë presidentin ta udhëheqë këtë. Mirëpo kjo është një lojë shumë e rrezikshme“, përfundoi ai.

Se nisma e tri partive opozitare për rrëzimin e qeverisë është jo serioze po e thotë edhe analisti tjetër, Imer Mushkolaj.

Ai për Gazetën Blic tha se kjo është një taktikë e LDK-së dhe se për këtë dyshimi ekziston edhe tek deputetët e Kuvendit të cilët akoma nuk i kanë bërë 2 vite punë në këtë legjislaturë.

“Nuk e di se çfarë ka ndryshuar sot me situatën e para 1 muaji, para 6 muajve apo para 1 viti për me e rrëzua qeverinë. Atë qeveri që e kemi pasur gjatë gjithë kësaj kohe e kemi edhe tash.

Nuk po e di se cila është e reja. Besoj që është taktikë sidomos e LDK-së dhe s’besoj që mund të ketë rrëzim edhe për një arsye që mund të jetë banale por për 2 vjet prej të qenit deputetë të legjislaturës aktuale dhe ne e dimë që pa i mbush dy vite nuk i përfitojnë ato privilegjet pas mandatit. E në anën tjetër nëse dështon tash mocioni atëherë nuk ka të drejtë që brenda 6 muajsh të merret një mocion tjetër. Nuk besoj që bëhet fjalë për ndonjë iniciativë serioze që do të qonte në rrëzimin e qeverisë”, tha Mushkolaj.

Ndryshe, tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, i kanë gjithsej 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe për suksesin e një mocioni të mosbesimit për Qeverinë, nevojiten edhe 5 vota.

Sidoqoftë, një nismë e ngjashme për rrëzimin e Qeverisë nga ana e partive opozitare ka ndodhur edhe në vitin e kaluar.

Ajo kishte dështuar për shkak të pamundësisë për të siguruar 61 votat e nevojshme. Partitë opozitare, asokohe patën thënë se u mungonin 3 vota për rrëzimin e Qeverisë

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/a-po-e-rrezon-ldk-dhe-vv-qeverine-haradinaj-ja-pergjigja-e-koalicionit-pan/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala