A është këtu kandidati për kryetar të Podujevës?

Autori:Gazeta Fjala

84328404_3190358320992030_3190824782945845248_n-600x360

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka pritur sot në zyrën e tij deputetin e LDK’së, Ekrem Hysenin dhe anëtarin e kryesisë, Fidan Rekaliun, ish-deputet në legjislaturën e kaluar. Të dy vijnë nga dega e LDK’së në Podujevë.

Veliu mysafirët e parë i ka pasur nga qyteti të cilin e ka udhëhequr për shumë vjet, para se ta linte për t’u bërë pjesë e Qeverisë.

Nënkryetari i LDK’së ka takuar dy prej zyrtarëve, njëri prej të cilëve është anëtar i kryesisë, e tjetri është zgjedhur deputet.

Rekaliu ka publikuar një fotografi, në të cilën tregon për vizitën në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Bashkë me deputetin Dr.Ekrem Hyseni, vizituam Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu. I uruam suksese në përgjegjësitë e reja që ai i ka marrë në të mirë të qytetarëve dhe shtetësisë së Kosovës. Besojmë shumë, që zotëri Veliu, sikurse gjithmonë në të kaluarën, do të shënojë suksese të jashtëzakonshme në këtë dikaster të rëndësishëm për vendin. Bashkë do të jemi në sfidat dhe fitoret e radhës”, ka shkruar ish-deputeti.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë të dy zyrtarët e LDK’së për të pyetur nëse në këtë takim u bisedua edhe për kandidatin për kryetar të Podujevës, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Podujeva do të shkojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndërsa LDK, e cila e konsideron këtë qytet bastion të saj, nuk është deklaruar akoma për kandidatin e saj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/a-eshte-ketu-kandidati-per-kryetar-te-podujeves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala