A do të paguhen mësimdhënësit edhe gjatë grevës?

Autori:Zekirja Shabani

parat

Rreth 350 mijë nxënës tash e tri javë nuk po mbajnë mësim si pasojë e grevës së mësimdhënësve, shkruan gazeta inFokus.

Por, humbja e orëve mësimore nuk do të ndikoj në pagën e mësimdhënësve.
Vjosa Shala, nënkryetare në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, për gazetën inFokus ka thënë se edhe këtë muaj do të paguhen njësoj.

“Patjetër që duhet të paguhemi njësoj meqë sipas ligjit mbi greva nuk mund të bëhet kurfarë ndalese në aspektin material,ngase të gjithë të punësuarit në arsim gjatë grevës janë në vendin e punës vetëm se janë në grevë për kërkesat e tyre që janë shumë legjitime që është e arsyetuar”, ka thënë Shala për inFokus.

E këtë e garanton edhe ligji për grevat.

Në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës, ky ligj, neni 9 Mbrojtja e të drejtave të të Punësuarve, thotë se “për organizatorët e grevës, pjesëmarrësve grevistë dhe ndaj të punësuarve të tjerë të cilët mbështesin grevën, nuk mund të merren masa disiplinore apo materiale dhe nuk mund t’ju ndërpritet marrëdhënia e punës”.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje që orët e humbura të kompensohen gjatë mbajtjes së grevës.

Por nga SBASHK-u nuk ka ndonjë qëndrim definitiv për kompensimin e tyre.

Njohësi i arsimit, Dukagjin Popovci, për gazetën inFokus, ka thënë se nëse punonjësit e arsimit paguhen gjatë kësaj periudhe do të duhej t’i kompensonin orët e humbura.

“Nëse iu përmbahen obligimeve të veta SBASHK-u dhe po e riktheksoj nëse punonjësit paguhen për grevën që po e mbajnë për këtë periudhë aty nuk ka asnjë dilemë që do të duhej të kompensoheshin. Normalisht njerëzit gjatë grevës nuk paguhen dhe nëse në këtë situatë ndodh që qeveria t’i ndal pagesat më të vërtet punonjësit nuk kanë asnjë obligim të kompensohen orët”.

Greva në arsim është paralajmëruar të mbahet derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/a-do-te-paguhen-mesimdhenesit-edhe-gjate-greves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala