Monedha e përbashkët europiane

Autori:Gazeta Fjala

eurozone_2518920b

Themeluesit e monedhës euro kanë mendime plotësisht të kundërta për mënyrën se si duhet të menaxhohet ajo…

Kriza e euros që fillimisht shpërtheu në 2009 zbuloi të meta të mëdha në projektimin e monedhës së vetme të përbashkët. Pjesërisht sepse filloi me programin e shpëtimit të Shqipërisë, shumë politikanë, veçanërisht ata gjermanë, mendonin se fajtorët kryesorë nuk ishin të metat në projektimin e monedhës, por shthurja në sistemin fiskal dhe ekzagjerimi i borxhit publik. Kjo do të thotë se zgjidhja e vetme e problemit do të ishin masat shtrënguese fiskale. Në fakt, kjo e fundit shpeshherë e ka zgjatur krizën në mënyrë të panevojshme. Programet e shpëtimit në vende si Irlanda dhe Spanja kanë treguar se borxhi privat i tepruar, flluska e pronave, si dhe një sistem bankar “i çmendur” mund të shkaktojnë probleme edhe më të mëdha për stabilitetin financiar.

Ky është vetëm një prej përfundimeve të “Euro dhe Beteja e Ideve”, nga tre akademikë nga Gjermania, Britania dhe Franca. Ata përshkruajnë momentet vendimtare të krizës, se si fuqia u zhvendos drejt qeverive kombëtare (veçanërisht në Berlin) dhe rolet që patën FMN-ja së bashku me Bankën Qendrore Europiane. Ata fajësojnë rolet e qeverive të Eurozonës se kanë dështuar në rregullimin e bankave me probleme më shpejtësi, se nuk kuptuan se deficiti ka rëndësi kur borxhi publik është në monedhë të huaj dhe se nuk bënë reforma strukturale në kohën e duhur.

Të tilla ankesa janë dëgjuar shpesh, dhe jo vetëm nga Britania apo Amerika. Autorët  i gjejnë rrënjët e këtyre dështimeve jo në marrëzinë e tyre, por në përplasjen e ideve ekonomike. Duke e thjeshtuar pak, këto ide janë të përqendruara në Gjermani dhe Francë. Gjermanët pëlqejnë rregullat dhe disiplinën dhe shqetësohen për borxhin e zgjeruar dhe rreziku moral që është krijuar nga programet e shpëtimit. Francezët preferojnë fleksibilitetin dhe lirinë e veprimit dhe janë të shqetësuar në lidhje me suficitin e llogarive korrente dhe mungesën e një instrumenti borxhi të përbashkët. Gjermanët favorizojnë buxhetin e shtrënguar dhe në kohët më të vështira; francezët favorizojnë stimulin fiskal nën linjën kejnsiane. Politikëbërësit gjermanë janë kryesisht juristë, ndërsa ata francezë janë kryesisht ekonomistë.

Shembuj të tillë përplasjesh ideologjike paraqiten në librin e autorëve. Ato variojnë që nga projektimi i Traktatit të Maastricht (marrëveshja që i hapi rrugën krijimit të monedhës së përbashkët) deri te paktet e mëvonshme kushtetuese të Bankës Qendrore Europiane për stabilitet dhe rritje ekonomike, si dhe aplikimin e marrëveshjes fiskale. Në të gjithë krizën, francezët kishin tendencën që t’i shikonin problemet bankare apo borxhin kombëtar si rast të mungesës së likuiditetit, ndërsa gjermanët zakonisht i kanë parë si shenja të mungesës së aftësisë paguese. Ndarje të ngjashme janë zhvilluar herë pas here mbi Eurobondet (mbështetur nga Franca; kundërshtuar nga Gjermania), si dhe mbi kontabilitetin (mbështetur nga Gjermania federale, por jo nga Franca e centralizuar).

Diferenca të tilla nuk vijnë prej partive politike (të cilat ndodhin kur dy vendet qeverisen nga parti të djathta apo të majta). Është interesant fakti, se ky qëndrim nuk ka qenë historikisht kështu: në shekullin e 19, si dhe në vitet ’30, ishte Franca, dhe jo Gjermania, që ishte në favor të rregullave të ngurta, suficitit të madh dhe për disiplinën e standardit të arit. Kjo ndryshoi vetëm pas 1945.

Kriza e Euros ende nuk ka marrë fund, me Greqinë që ka nevojë për më tepër lehtësim borxhi, si dhe me Italinë e zhytur me probleme bankare, me rritje kronike të ngadaltë dhe me një normë të lartë papunësie. Vota pro daljes së Britanisë nuk do ta ndihmojë situatën, megjithëse u përshëndet prej disave si një arsye më shumë për një bashkim më të fortë fiskal dhe politik në eurozonë.

Franca dhe Gjermania kanë ende diferenca të mëdha në drejtimin e rrugëtimit. Franca kërkon bashkimin e borxhit dhe një politikë fiskale më fleksibël dhe ata janë të gatshëm të bisedojnë për integrim më të thellë. Gjermanët janë e kundërta, ata duanë disiplinë të mëtejshme dhe integrim përpara se të mendojnë bashkimin e borxhit./monitor.al-The Economist/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/98924-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala