38 mijë euro gjoba për partitë politike gjatë balotazhit – prin VV me mbi 16 mijë euro

Autori:Gazeta Fjala

zgjedhjet-lokale-1479334235-3482030_1495812573-9485027

Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nesër do të jap epilogun për dy ankesat e dorëzuara nga Lidhja Demokratike e Kosovës për Istog dhe Lista Serbe për Kllokot.

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, në një intervistë për KosovaPress ka bërë të ditur se për shkak të votimit me postë, LDK për Istog dhe Lista Serbe për Kllokot kanë dorëzuar ankesat e tyre në PZAP.

Ai tha se ankesat janë në procedurë dhe se vendimi përfundimtar do të merret brenda afatit ligjor prej 72 orëve nga momenti i dorëzimit e që i bie që sot PZAP-ja të marrë vendim për këto dy ankesa.

“Janë dy ankesa që kanë të bëjnë me votimin me postë që i ka paraqitur Lidhja Demokratike e Kosovës për Istog dhe Lista Serbe për Kllokot, kështu që janë në procedurë të shqyrtimit dhe paneli brenda afatit ligjor prej 72 orëve, prej momentit kur janë dorëzuar këto ankesa, do të marrë vendimin”, tha ai.

Ai tha se janë edhe katër apo pesë ankesa për shqyrtim të cilat i kanë dorëzuar kandidatët për asamble të cilët pas rinumërimit të kutive kanë humbur të drejtën për asamble komunale.

Kryesuesi i PZAP-së, Mulë Desku ka folur edhe për gjobat e shqiptuara gjatë fushatës zgjedhore për raundin e dytë, ku sipas tij shifrat e gjobave arrijnë në rreth 37 mijë e 900 euro.

Ai tha se gjoba janë shqiptuar nga paneli për arsye se kandidatët mbështetës apo edhe vetë kandidatët që kanë qenë në garë kanë thyer heshtjen zgjedhore.

“Shuma e gjobave sa i përket balotazhit apo raundit të dytë të zgjedhjeve të 22 tetorit është si në vijim: shuma totale është 37 mijë e 900 euro. Këto gjoba janë shqiptuar ndaj subjekteve politike: AAK me 2 mijë e 500 euro, Alternativa 2 mijë e 500 euro, LDK 7 mijë e 800 euro, LVV 16 mijë e 300 euro dhe PDK 8 mijë e 800 euro. Këto gjoba janë shqiptuar nga paneli për arsye se kandidatët mbështetës apo edhe vetë kandidatët që kanë qenë në garë por edhe kandidatëve të tjerë që iu kanë ndihmuar në garën për balotazh, është konstatuar dhe është vërtetuar se kanë thyer heshtjen zgjedhore dhe në përputhje me ligjin janë shqiptuar këto gjoba”, tha ai.

Desku tha se subjektet politike të dënuara me gjoba nga PZAP-ja për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale nuk i kanë paguar ende ato.

Sipas tij, partitë politike Nisma për Kosovën, Aleanca Kosova e Re, Lëvizja Vetëvendosje, Lista Serbe, Lëvizja për Bashkim kanë paguar gjobat e shqiptuara gjatë raundit të parë zgjedhor, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka paguar një shumë minimale prej 1 mijë e 350 euro. Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Alternativa nuk kanë paguar fare gjobat e shqiptuara nga PZAP për raund e parë.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë fushatës zgjedhor për zgjedhjet lokale të 22 tetorit ndaj subjekteve politike ka shqiptuar gjithsej 219.450 euro.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/38-mije-euro-gjoba-per-partite-politike-gjate-balotazhit-prin-vv-me-mbi-16-mije-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala