Për një politikë të re të administrimit e menaxhimit të tokës

Autori:Menderes Ibra

656X37337230menderes_ibra

1.

Këto ditë në debatet zgjedhore komunale, njëri nga kandidatët për kryetar premtoi  se po të fitonte, do të ndërtonte një objekt publik për të cilën komuna kishte vërtetë nevojë. Kundërkandidati u zu ngushtë nga kjo ide e mirë, dhe nuk po dinte se si ta kundërshtonte. U duk se po hante veten me dhëmbë, dhe sakaq foli triumfalisht: Nuk mund ta bësh këtë, i tha. Do ta bëj, ia priti tjetri. Nuk mund ta bësh në asnjë mënyrë, sepse komuna nuk ka tokë. Merreni me mend, bëhej fjalë për një sipërfaqe prej vetëm rreth 30 ari (0.3 hektarë)! Sado që kandidati u gëzua që gjeti zgjidhjen që ndoshta i siguroi atij një avantazh momental për propozimin me vend të kundërkandidatit, megjithatë në këso situate asnjëri nuk mund të ishte fitues, sikurse që as banorët e asaj treve. Dhe vërtetë, shumë nga komunat e vendit sot ballafaqohen me probleme të tilla që nuk kanë tokë për të ndërtuar objekte të rëndësisë publike përfshirë shkolla, qerdhe, parqe, rrugë, sheshe  apo çka do qoftë. Kurse për  hapësira për ndonjë investitor  potencial  madje as  të mos flasim, sepse thjeshtë nuk kanë mundësi.  Po gjatë kësaj fushate një nga kandidatët për kryetar komune, madje premtoi se ai do të dhuronte tokën e tij për çdo investitor që do të ishte i gatshëm të investonte në atë komunë!

Njejtë si komunat, edhe shteti po thuajse ka  të njëjtin problem. Nuk ka toka në pronësi shtetërore që do t’i përdorte për nevojat e tij. Paramendoni nëse ndodh diçka e jashtëzakonshme, si p.sh. tërmet, apo krizë migrantësh etj dhe shteti ka nevojë për një hapsirë të madhe për të ndërtuar një kamp për të zhvendosurit. Kjo nuk ka se si të bëhet sepse as shteti nuk ka tokë.

Në këtë mënyrë institucionet ballafaqohen me nevojën për blerje apo shpronësime me çmime shumë të larta, duke e shpenzuar kështu buxhetin, pasi që nuk janë të rralla rastet kur komunat kanë paguar madje edhe shuma milionëshe për shpronësime. Kështu është gjendja në shumë pjesë të vendit, dhe kjo padyshim që është dëshpëruese, pasi që në këtë rast është vështirë të mendohet për zhvillim ekonomik e investime qoftë të huaja apo të brendshme, kur mungon toka ku ato të jetësoheshin. Objektet ekonomike e infrastrukturore megjithatë duhet të ndërtohen në tokë, dhe e cila mungon.

2.

Që nga përfundimi luftës e deri më tash sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore u privatizuan, dhe sipas agjencisë së privatizimit, më shumë se gjysma e tokave në pronësi shoqërore është privatizuar. Procesi është duke vazhduar ende përmes metodës e modelit të njejtë të filluar prej vitesh. Në shumë raste çmimi i shitjes së këtyre tokave ka qenë shumë i ultë, (përmenden rastet kur një ari tokë është shitur me çmimin e një makiato). Përveç çmimit, shqetësuese është se me disa përjashtime të vogla në pjesën dërmuese të rasteve këto toka kanë ngelur jashtë funksionit të prodhimtarisë bujqësore të mirëfilltë, qoftë duke u përdorur për ndërtime, apo madje edhe të lëna djerrë.

Në këto kushte, dhe në rrethanat e reja të zhvillimit ekonomik të vendit, është koha që Agjnencia e Privatizimit të ndërpresë duke rishikuar formën e tillë të privatizimit, pasi që ajo është duke u treguar e pasuksesshme në raport me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe nevojat e tij. Institucionet para të cilave përgjigjet dhe jep llogari kjo agjenci do të duhej që përmes politikave të reja të administrimit e menaxhimit të tokës të përcaktojnë programin shtetëror me objektiva të reja dhe masa konkrete rreth menaxhimit të tokës bujqësore, të shoqëruar edhe me ndryshime legjislative. Privatizimi i tokës bujqësore sipas mënyrës aktuale vërtetë do të duhej që urgjent të rishikohej. Kjo do të duhej bërë, pasi që thjeshtë toka është resursi më bazik për zhvillimin jo vetëm të bujqësisë por edhe të tërë shoqërisë. Thjeshtë, edhe po të kesh të gjitha resurset tjera në dispozicion, nuk ka asnjë mundësi për t’i vënë ato në funksion nëse nuk e ke resursin më bazik e më të çmuar – tokën.

3.

Situata në këtë sferë është e vështirë, por ende nuk është pa shtegdalje, dhe ka mundësi që të gjendet një zgjidhje, duke e trajtuar atë urgjentisht. Mjafton që së paku të shihen përvojat e vendeve tjera në këtë fushë. Në shumë shtete pavarësisht ecjes me privatizim (dorën në zemër në mënyra tjera), ka ende sipërfaqe të mëdha tokash në pronësi të shtetit, si p.sh. Sllovenia, Kroacia etj (në Kroaci ka ende mbi 900 mijë hektarë tokë bujqësore në pronësi të shtetit). Raste të tilla ka edhe në shtetet tjera. Mënyra se si këto shtete e menaxhojnë këtë tokë është shumë praktike. Ato kanë themeluar entitete publike (agjenci apo fonde) të cilat mirren me këtë çështje. Në disa raste këto entitete menaxhojnë madje edhe pyjet dhe tokat pyjore. Tokat administrohen qoftë duke i dhënë me qira, me koncesion, në shfrytëzim periodik etj. Mirëpo e rëndësishme është se nga kjo realizohen të hyra dhe profit, dhe ajo që është më e rëndësishmja toka është në dispozicion të shtetit për çdo gjë që ka nevojë, qoftë për ndonjë investim të huaj stretegjik, apo për investime të brendshme. Kështë p.sh. para një kohe Serbia ia dha 16 mijë hektarë tokë  Emirateve të Bashkuara Arabe në këmbim të investimeve të mëdha në sektorin e ujitjes.Po ashtu edhe në shtetet tjera ka raste të tilla kur investitorë të mëdhenj janë tërhequr në këtë mënyrë duke iu dhënë tokë bujqësore. Fatkeqësisht edhe po të na paraqitej ndonjë rast i tillë sot, Kosova nuk ka mundësi që të përfitojë në këtë mënyrë.

Në bazë të raportit të fundit vjetor  që nga qershori 2002 kur filloi punën  e deri në fillim të vitit 2016 AKP nga privatizimi i  ndërmarrjeve shoqërore në të gjithë sektorët arkëtoj 660 milion euro. Janë privatizuar 28553 hektarë tokë bujqësore nga e cila janë grumbulluar 99 milion euro (vlera mesatare e shitjes për një hektar është 3470 euro). Të pa privatizuara kanë mbetur gjithsejt edhe 22 140 hektarë.

4.

Nëse gjithnjë e më tepër qoftë në nivelin qendror apo edhe atë lokal dëgjojmë konstatime e premtime si: Se bujqësia është shumë e rëndësishme për zhvillim, se ajo duhet të jetë prioritet, se duhet rritur buxheti për të etj, atëherë këto konstatime të bëra nga kushdoqoftë duhet që të mos mbesin fjalë të thata por të shoqërohen edhe me veprime e masa konkrete. Njëra nga këto do të ishte ruajtja e tokës bujqësore si resurs bazik dhe më i domosodoshëm për bujqësinë. Do të duhej të hartohej Programi i Qeverisë për Menaxhimin  dhe administrimin me këto toka,  si dokument udhërrëfyes që do të përcaktonte mënyrat e menaxhimit të tyre në planin afatëgjatë.

Këto toka si resurs i rëndësishëm kombëtar munden të iu ofrohen investitorëve të mëdhenj qofshin të huaj apo vendor, sukurse që munden të jipen me qera, me koncesion, të shiten apo të përdoren për qëllime tjera, si p.sh. promovimi i ndonjë politike strategjike bujqësore shtetërore me interes kombëtar etj. Njëkohsisht këto toka do të mund të përdoreshin eventualisht edhe për kthim, kur eventualisht do të fillonte procesi i restitucionit.

Duke pasur parasysh se toka është i vetmi resurs i njeriut i cili zvogëlohet vazhdimisht dhe po thuajse nuk mund të rritet, nevoja për menaxhimin me nikoqirllëk të saj është imanente për çdo shtet e shoqëri të suksesshme. Toka bujqësore dhe pyjore mund të vendoset në funksion të plotë të zhvillimit të vendit vetëm duke shtuar në vazhdimësi vlerën e përfitimit nga ajo. Në këtë drejtim menaxhimi dhe administrimi i saj duhet të planifikohet shumë kujdesshëm, me politika largpamëse e proaktive, dhe të udhëhiqet nga deviza e shfrytëzimit të qëndrueshëm të saj në perspektivën afatëgjatë dhe në dobi të së mirës së përgjithshme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/180600-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala