“Frika” nga euro

Autori:Gazeta Fjala

one-euro-coins-stands-out-of-the-pile

Në fillim ishte floriri, pastaj Dollari dhe vitet e fundit, Euro. Shqiptarët kanë zgjedhur gjithmonë një mjet të sigurt të huaj pagese për të ruajtur kursimet e tyre, teksa historikisht monedha vendase është konsideruar si me më pak vlerë. Në kohën e Zogut, ata u mbështetën te floriri, pasi panë që kartëmonedhat e tyre vendase të zhvlerësoheshin ndjeshëm. Pas viteve ’90, ishte dollari ai që zëvendësoi floririn si një monedhë e sigurt. Nga viti 2003 dhe ende sot është euro “floriri” i shqiptarëve. Euro është një mjet pagese thuajse i ligjëruar në shumë transaksione me vlerë të madhe, si pasuri të paluajtshme (troje e shtëpi) makina, e deri në pikat e shitjes me pakicë, si dhe më shumë se gjysma e huasë dhe depozitave janë në monedhë të huaj.

Në vitin 2011, Banka e Shqipërisë, e shqetësuar se Shqipëria po euroizohej me shpejtësi, sinjalizoi bankat që të favorizonin përdorimin e monedhës vendase në ekonomi dhe në sistemin bankar shqiptar kundrejt përdorimit të monedhës së huaj (banka hoqi remunerimin e rezervës së detyruar në valutë, për të nxitur bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve). Në atë kohë, kredia për ekonominë në valutë përbënte 65% të totalit, ndërsa pesha e depozitave ishte 48.3%.

Kur kanë kaluar 6 vjet, bankat rezulton që e kanë pasur më të lehtë të frenojnë huadhënien në valutë. Në fund të shkurtit 2017, pesha e kredisë në monedhë të huaj zbriti në52.4%, pra gati me 13 pikë përqindjeje.
Por bankat nuk kanë mundur të kontrollojnë kahun e ofertës, atë të kursimeve në valutë. Ndonëse interesat e depozitave në euro janë afër zeros, dhe monedha e përbashkët është zhvlerësuar ndjeshëm vitet e fundit, kjo nuk i pengon shqiptarët të mbajnë kursimet në euro. Gjatë vitit 2016, kursimet në valutë kaluan për herë të parë ato në lekë, për të arritur në 52.4% të totalit në fund të shkurtit 2017.

Kjo sjellje ka shqetësuar sërish Bankën e Shqipërisë, që ka ndërmarrë një plan të ri për të ulur përdorimin e euros në ekonomi. I pari që e sinjalizoi ishte guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili në një intervistë për ‘Monitor’ në shkurt të këtij viti tha se ka disa studime të autorëve vendas dhe të huaj, të cilët e klasifikojnë Shqipërinë si një vend me nivel të lartë euroizimi. Sejko paralajmëroi se është e nevojshme të reagohet me vendosmëri ndaj këtij fenomeni. Kjo do të ndihmonte në rritjen e rezistencës së ekonomisë shqiptare, kryesisht nëpërmjet uljes së ekspozimit të saj ndaj rreziqeve dhe përmirësimit të efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare të nevojshme për trajtimin e këtyre rreziqeve. Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kanë ndërtuar një qasje strategjike në trajtimin e këtij fenomeni, sipas fushave respektive të kompetencës.

Sipas strategjisë së përbashkët, të bërë publike së fundmi, në kuadrin e një memorandumi mes tre institucioneve, synohet që të krijohen kushtet dhe stimujt e nevojshëm për të ndikuar gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme, në zvogëlimin e shkallës së përdorimit të monedhave të huaja dhe si rezultat, në fuqizimin e shkallës së përdorimit të monedhës kombëtare, në sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit, në përputhje me qëllimin për forcimin e efektivitetit të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.

Veprimet që lidhen me zbatimin e strategjisë, mund të klasifikohen në grupet e mëposhtme, të cilat janë njësoj të vlefshme për nga rëndësia dhe që do të ndiqen paralelisht: a) grupi i parë përfshin veprime të politikës fiskale dhe përmirësime të tjera ligjore, të cilat synojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, uljen e informalitetit në ekonomi, zhvillimin e 3/7 të tregut financiar, përmirësimin e kërkesave ligjore dhe forcimin e zbatueshmërisë së tyre për përdorimin e lekut në transaksionet mes agjentëve ekonomikë; b) grupi i dytë përfshin veprimet e politikës monetare dhe ato mbikëqyrëse mbi bankat dhe institucionet e tjera financiare, me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë së mjedisit makroekonomik, zhvillimin e tregut financiar dhe të sistemeve të pagesave, si dhe rritjen e shkallës së përdorimit të lekut në sistemin financiar; c) grupi i tretë përfshin veprime të tjera, të cilat nuk përfshihen në dy grupet e mëparshme, që vlerësohen të nevojshme në kuadër të zbatimit të strategjisë dhe ku palët mund të ndikojnë në zbatimin e tyre.

Euro - KarikaturaProblemet që sjell euroizimi

Sipas Bankës së Shqipërisë, nga këndvështrimi i politikave ekonomike dhe financiare, një nivel i lartë i euroizimit në sektorin bankar mund të shoqërohet:
(a) me ulje të efektivitetit të politikës monetare të bankës qendrore. Kjo ndodh për shkak të tkurrjes së dy prej kanaleve të rëndësishme të transmetimit të saj, siç është kreditimi në monedhën e vendit dhe përdorimi i kursit të këmbimit si instrument automatik i stabilizimit financiar dhe ekonomik. Kjo e dyta lidhet dhe me rritjen e kostove oportune që lidhen me madhësinë dhe mënyrën e përdorimit të rezervës valutore;
(b) me shtimin e rreziqeve për stabilitetin financiar.

Më konkretisht, bëhet fjalë për ekspozimin e aktorëve të tregut dhe klientëve të tyre ndaj rrezikut të kursit të këmbimit; për mungesën e instrumenteve efektive për trajtimin e një situate stresi në sistemin financiar, që buron nga ekspozimi i lartë ndaj veprimtarisë financiare në valutë.
Në përgjithësi, në rang ekonomie, përdorimi i lartë i monedhës së huaj mund të jetë pengesë në përpjekjet e autoriteteve për formalizimin e ekonomisë, zbatimin e politikave fiskale efektive, reformave të nevojshme për transparencën financiare dhe arsye të tjera.

Euroizimi

Termi euroizim – lidhet me përdorimin e monedhës së huaj si mjet pagese (zëvendësimi i monedhës) dhe si mjet për të ruajtur kursimet (zëvendësimi i aseteve).

Nuk është vetëm një sjellje shqiptare

Një studim i bankierëve zviceranë dhe austriakë, Martin Brown dhe Helmut Stix, titulluar “Euroizimi i depozitave të bankave në Europën Lindore”, thotë se preferencat e ekonomive familjare për depozitat në euro janë pjesërisht të nxitura nga mosbesimi i tyre në stabilitetin e monedhës së tyre të brendshme, gjë që lidhet me vlerësimin e tyre të politikave dhe institucioneve aktuale.
Ata konfirmojnë se mbajtja e depozitave në valutë të huaj është bërë një “zakon” në rajon.
Politikëbërësit dhe akademikët pajtohen se euroizimi i përhapur i depozitave bankare në Europën Lindore kufizon politikën e brendshme monetare dhe përbën një kërcënim të madh për stabilitetin financiar.

Të dhënat e mbledhura nga autorët treguan se pjesa e depozitave në valutë të huaj u rrit fuqishëm në Europën Juglindore (p.sh. Serbia, Shqipëria, Rumania, Bullgaria) gjatë krizave financiare të viteve 1990 dhe ka mbetur e lartë gjatë krizave më të fundit financiare dhe sovrane. Në të kundërt, pjesa e depozitave në valutë ka rënë gradualisht në Europën Qendrore (p.sh. Polonia, Hungaria, Republika Çeke).
Rezultatet e studimit sugjerojnë se euroizimi i depozitave në Europën Lindore mund të zgjidhet pjesërisht nga një regjim i qëndrueshëm monetar dhe politikat e shëndosha ekonomike të politikëbërësve të sotëm: euroizimi i depozitave lidhet me besimin në stabilitetin e monedhës vendase, e cila ndikohet nga vlerësimet e ekonomive familjare për politikat aktuale dhe institucionet. Rezultatet, megjithatë, tregojnë gjithashtu se politika monetare e qëndrueshme ka pak gjasa të jetë e mjaftueshme për t’u marrë me problemin e euroizimit të depozitave në të gjithë rajonin, pasi mbajtja e depozitave në valutë është bërë një “zakon” dhe ende ndikohet fuqimisht nga përvoja e krizave financiare në vitet 1990.

Serbia

Euroizimi më i lartë është në Serbi, ku si kredia në valutë, ashtu dhe depozitat, përbëjnë mbi 70% të totalit. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Serbisë në shkurt të vitit 2015, institucioni monetar qendror ka marrë masa për të kontrolluar dhe për të mbrojtur sistemin nga niveli i lartë i euroizimit.

Maqedonia

Në Maqedoni, në mars të vitit 2017, depozitat në monedhë të huaj përbënin 41% të totalit të depozitave, sipas statistikave të publikuara nga Banka Qendrore e Maqedonisë. Huaja në valutë zë një peshë më të ulët në rreth 18%. Maqedonia ka kaluar muajt e fundit një krizë të tërheqjes së depozitave, si rrjedhojë e destabilitetit politik, por banka qendrore thotë në raportet e saj se kjo është përballuar me sukses, për shkak të likuiditetit të mirë të sistemit.

Kroacia

Në kontrast me huamarrjen, në Kroaci, konsumatorët vijojnë të reflektojnë preferencën për kursimet në monedhë të huaj. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Kroate, në raportin e mbikëqyrjes për vitin 2016, pesha e depozitave në monedhë të huaj ndaj totalit ishte 75.5%. Monedha që zë peshën më të madhe, me dy të tretat e totalit të depozitave është euro, ndërsa kuna zë 24.5% të totalit të depozitave të familjarëve.
Lidhur me kredinë, në 2016-n, huatë në franga zvicerane u konvertuan në euro, ndërsa ka pasur rritje të interesit në huatë në kuna.
Pesha e huave në frangën zvicerane ka rënë 7.3% të totalit të huave bankare.
Monedha e huaj përbën 60.6% të totali të aktiveve dhe 64.8% të totalit të detyrimeve.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/138171-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala